Arrestohet shefi ekzekutiv i Audi-t, shkak skandali i emetimit të gazrave

ardita 0

Rupert Stadler, shefi ekzekutiv i markës gjermane Audi, u arrestua në kuadër të hetimeve të një skandali me emetimet e gazrave.

Një zëdhënës i Volkswagen-it, i cili posedon Audin, konfirmoi arrestimin e tij.

Prokurorët e Mynihut thanë se kanë vepruar për të shmangur rrezikun që Stadler mund të manipulojë provat.

Skandali ka shpërthyer tre vjet më parë, kur është zbuluar se makinat janë pajisur me softuer që falsifikojnë testet e emetimeve të gazrave. Softuerët fillimisht janë gjetur në makinat e Volkswagen-it, por edhe dega e tij Audi ka qenë e përfshirë në skandal.

Muajin e kaluar, ajo ka pranuar se edhe 60,000 modele të reja A6 dhe A7 me motorë me naftë, kanë pasur probleme me softuerët e emetimit të gazrave.

Vitin e kaluar, Audi ka tërhequr 850,000 makina nga tregu. Prokurorët e Mynihut thanë se Stadler do të merret në pyetje ditën e mërkurë, pasi ai të ketë folur me avokatët e tij. Sipas gazetës gjermane “Sueddeutsche”, bordi mbikëqyrës i VW ka emëruar Bram Schot të jetë shefi ekzekutiv i përkohshëm i Audi-t pas arrestimit të z. Stadler.

E ashtuquajtura skandali i emetimit të dieselgate doli në dritë në shtator të vitit 2015. Prodhuesi i makinave tha se kishte instaluar softuer në 11 milionë makina diesel në mbarë botën.

This post is also available in: English