Aston Martin konfirmon prodhimin e DBX

liridona 0

Për të gjithë ata që na lexojnë rregullisht, besojmë është e qartë tashmë që trendi i modës aktuale përkthehet shkurt me tre gërma: Suv.Nga ana tjetër, drejtimi i ri që shumica e prodhuesve po ndjekin nga ana e motorëve është elektrike. Kjo sepse mjedisi thërret dhe sidomos sepse normativat antindotje janë bërë tashmë thuajse të pakalueshme.

Në këtë kontekst, Aston Martin ka menduar mirë të përveshë mëngët dhe të ecë përpara në prodhimin e modelit të saj të parë në segmentin SUV, por të elektrifikuar. Modeli i ri do të quhet DBX dhe do të prodhohet në fabrikën e St. Athan. Kjo fabrikë është e re fringo dhe do të ketë si fillim rreth 100 punonjës, por brenda 2020 numri do të shkojë deri në 700 punonjës. Në të njëjtën fabrikë, që Aston Martin e ka pagëzuar “Home of Electrification”, do të jetë qendra e prodhimit edhe për modelin sedan Lagonda, i cili do të jetë gjithashtu elektrik.

DBX i parë do të prodhohet në fund të vitit të ardhshëm dhe sipas “orientimeve” do të jetë si ky që po ju prenzantojmë në foto. Ende është shpejt për një ide mbi çmimin apo për detaje të tjera, por me siguri do të kushtojë mbi 250 mijë euro dhe do të jetë, si gjithmonë nga Aston Martin, një xhevahir, në këtë rast, elektrik.