Bentley Continental GT apo Mercedes AMG S63 Coupé

liridona 0

Në duele midis dy apo më shumë modelesh zakonisht krahasimi përmban detaje racionale, krahasime teknike apo të dhënat e ndryshme të modeleve dhe pa diskutim çmimet kanë një peshë specifike. Kjo është e vërtetë për shumicën e krahasimeve ndoshta, por në rastin konkret do të ishim pak skeptikë të bënim të njëjtën gjë.

Themi këtë sepse në këtë rast, diferenca midis çmimit të dy modeleve është sa mund të bleje një makinë tjetër të re, këstet e të cilës shumica e njerëzve në Shqipëri as do t’ia dilnin ta blenin dhe një pakice tjetër do t’i duheshin shumë vite për t’i shlyer. Kur Në rastin konkret atëherë le të shohim disa detaje që ndoshta mund të jenë më me vlerë.Mercedes S63 AMG fillon diku rreth 195.000euro ndërkohë që Bentley Continental GT vërtitet në të tjera nivele: fillon nga 245.000euro. Për më tepër, kostot e mirëmbajtjes janë jashtë nivelit njerëzor, pasi vetëm kostot e rrugës janë një histori më vete sepse Bentley nuk ka ende një servis zyrtar në Shqipëri, kështu që duhet çuar në Itali, Greqi, Austri apo …

Bazuar në traditën e dy prodhuesve, njëri me objektiv ekskluzivitetin maksimal ndërsa tjetri progresin teknologjik dhe performancën na duket e arsyeshme të themi që në rastin e Bentleyt, pronari ideal i saj mund të shpenzojë para të pafundme për rrobaqepës privat apo për puro kubane që që kushton 50 euro copa. Në rastin e Mercedesit, pronari i saj mbetet padyshim ambicioz dhe krenar për objektin e posedimit, por mund të jetë edhe një puritan i kujdesshëm ndaj dietës dhe një stili jetese më human e më qytetar.

Bentley Contintal GT ofrohet në dy variante motori, 4.000 kubikë me fuqi 529 kuaj fuqi dhe 6.000 kubikë me 642 kuaj fuqi. Të dy versionet tejkalojnë shpejtësinë 300km/h dhe kanë tërheqje integrale (4×4) dhe lista e aksesorëve, pavarësisht se versionet “bazë” janë gjithsesi “full option”, përmban edhe një bojë speciale që kushton rreth 35.000euro.

Në rastin e Mercedesit S Class Coupé, ne po i referohemi një ndër versioneve më cilësore, atij S63 AMG, i cili është një xhevahir i vërtetë teknologjik. Me një motor 4.000 kubikë zhvillon 612 kuaj fuqi, shpejtësia është e kufizuar elektronikisht në 250km/h (makina patjetër që tejkalon lehtësisht këtë shpejtësi) dhe nga 0-100 arrihen për vetëm 3.5 sekonda.

Bentley shquhet për montim me dorë dhe detaje luksi që janë ëndërr për çdo artizan me traditë, ndërsa Mercedesi, megjithëse ka një cilësi superiore kahasuar me çdo model tjetër, mbetet në një nivel më industrial.

Mos pyesni se sa harxhojnë sepse nuk hyn fare në parametrat e asnjë prej blerësve.

Cilën do të zgjidhnim? Vështirë të themi një përgjigjigje unike edhe sepse këto dy makina janë vërtet një zgjedhje e drejtë, sido që të vendosni.Nëse qëllimi juaj është të dalloni mes turmës, të keni emrin në një listë pasanikësh që dëshiron të rrethohet me objekte unike për të cilët makina ka funksionin që t’i çojë ndër të tjera edhe tek jahti ekskluziv, atëherë Bentley Continental GT duket si më i përshtatshëm. Nëse ama përveç cilësisë, luksit dhe teknologjisë jeni të apasionuar edhe pas performancës ekstreme dhe pse jo me makinën tuaj do të donit të çlironi “bishën” nga çdo limitator elektronik dhe të provoni emocione edhe në pistë, atëherë ndoshta më mirë një Mercedes S Class Coupé.