Cristiano Ronaldo dhe garazhi i tij përrallor! (Foto)

liridona 0

Cristiano Ronaldo, një nga lojtarët më të spikatur të historisë së futbollit, ka fituar pesë herë Topin e Artë dhe këto ditë vazhdon akoma të përbëjë lajm për shkak të transferimit të tij të bujshëm tek klubi italian Juventus. Në merkaton e futbollit tashmë nuk flitet gjë tjetër përveç shifrave marramendëse. Në katër vitet e ardhshme, klubi italian do të nxjerrë nga llogaritë e tij rreth 400 milionë euro, nga të cilat 120 milionë neto, 30 milionë/vit për katër vjet, do të jenë për vetë yllin e futbollit.
Një ndër pyetjet më të zakonshme që njerëzit mund të bëjnë, është “çfarë mund të bësh me gjithë këto lekë” ose e thënë ndryshe për ne të Automag, çfarë makinash mund t’i lejosh vetes me këto të ardhura prej ëndërre të largët.
Është fakt i ditur që CR7 është mjaft i apasionuar me makinat. Dikush ka vlerësuar rreth gjashtë milionë euro garazhin e tij, por dikush tjetër thotë se vlen shumë më shumë.

Në profilin e tij në instagram CR7 ka publikuar mjaft fotografi me makinat e tij, disa prej të cilave jua risjellim të përmbledhura më poshtë.


Sipas traditës së klubit italian, për shkak të lidhjes së pronësisë së Juventus me grupin automobilistik FCA, çdo lojtar i skuadrës mund vetëm të ngasë makina të grupit, për sa kohë luan në skuadër. Zgjedhjet janë më se të mjaftueshme në fakt edhe për një si CR7.
1. Në momentin e parë që ka shkelur në Itali, atij i është dhënë në përdorim një Jeep Grand Cherokee Trackhawk, me 710 kuaj fuqi dhe vlerë 129.000 euro.

 

2. Ferrari 599 GTO është dëshmi e pasionit që CR7 ka për makinat Made in Italy. Edhe ky model ka qenë një seri e veçantë ku janë prodhuar vetëm 599 njësi. Kjo makinë ka 670 kuaj fuqi dhe çmimi normal ka qenë 255.000 euro.

3. Ndoshta në periudhën që CR7 luante në Angli i ka lindur pasioni për makinat angleze. Jo se ka nevojë për ndonjë arsye të veçantë nëfakt për t’u dashuruar me një McLAren MP4-12C. 600 kuaj fuqi dhe 205.000 euro.

4. Pasioni i CR7 për makinat Ferrari tregohet edhe nga fakti që ai ka patur shumë modele në garazhin e tij, disa prej të cilëve i ka ende. Në foton më lart, ai shihet i mbështetur në një F12 në versionin TDF. Ky model ka 780 kuaj fuqi dhe kushton 390.000 euro.

5. Si çdo “usta” që merr vesh nga makinat, nuk mund të mos kishte edhe një Lamborghini. Modeli që ka zgjedhur është një Aventador. Kjo makinë ka 740 kuaj fuqi, ecën me 350 km/h dhe kushton 350.000 euro.

Cristiano Ronaldo mund të blejë edhe vetura më të thjeshta se ato të serive të veçanta, si psh. Mercedes, me kusht që të jenë AMG. Kështu si pasojë e një operacioni marketingu, CR7 posedon edhe një Mercedes AMG S 65 me 629 kuaj fuqi dhe çmim 260.000 euro.

Range Rover është zgjedhja e parë për këdo që ka nevojë për një fuoristradë dhe nuk ka probleme buxheti. Po CR7? Natyrisht ai ka zgjedhur versionin më ekskluziv Range Rover Autobiography Supercharged, me 566 kuaj fuqi dhe çmim 220.000 euro.

Rolls Royce, marka emblematike e luksit ka qenë zgjedhja e CR7 për ndonjë mbrëmje elegante kur timonin mund ta marrë edhe shoferi i tij. Të ketë dashur të kursejë që modeli i përzgjedhur Ghost ka qenë modeli më i lirë i markës angleze, me vlerë vetëm 275.000 euro???

Bugatti Chiron është një veture ekskluzive që kushton 3 milionë euro në versionin “bazë”. Kjo makinë ka lindur për të vendosur rekorde. 1.500 kuaj fuqi, 420 km/h dhe 0-100 për më pak se 2.5 sekonda.


Janë prodhuar vetëm 500 njësi dhe asnjë ekzemplar nuk është shitur në treg të lirë. Të gjitha janë shitur me porosi një klientele shumë të zgjedhur. Disa kohë më parë CR7 ka marrë pjesë si testimonial në një iniciativë marketingu lidhur me modelin Bugatti Chiron, një ekzemplar të cilin më tej ai ka vendosur ta bëjë pjesë të garazhit të tij.