Cupra bëhet markë më vete, ja pse!

liridona 0

Cupra, një markë që shumë të apasionuar e njohin mirë, është prej kohësh një firmë që ka dalluar versionet më sportive të modeleve të markës spanjolle, duke filluar nga Ibiza e duke përfshirë modelet e tjera me rradhë. Bazuar në rëndësinë strategjike që drejtuesit e grupit Volkswagen i kanë dhënë këtij drejtimi, Cupra do të rritet duke u bërë një markë më vete.Modeli i parë i lançimit të markës së re do të bazohet në modelin Ateca. Megjithëse për më fanatikët mund të ngjajë pak si e papërshtatshme, segmenti SUV tashmë duket se është pozicionuar bindshëm në çdo nivel të mundshëm dhe kjo zgjedhje madje është edhe e spikatur nga ana e marketingut.

Suv-i i ri Cupra Ateca do të bazohet në njësinë motorike 2.0 turbo benzine dhe zhvillon 300kuaj fuqi. Tërheqja është integrale (4×4) dhe është rishikuar edhe kambio automatike DSG, për një performancë më të mirë nga ana sportive. Meqenëse edhe syri do pjesën e tij, si për çdo makinë sportive, Cupra Ateca është përpunuar me shumë kujdes nga designer-at për një pamje më të veçantë, më të kuruar dhe më ekstreme. Ndryshimet fillojnë me logon e Cupra-s në mes të maskerinos që këtu është e realizuar me plastika të zeza më cilësore së bashku me gojëzat e ajrit. Disqet janë të mëdhenj, 19”, siç e do zanati, njësoj si dy dopio marmitat, në stil sportiv sade. 

Logo e markës së re Cupra është e përbërë nga dy “C”të stilizuara në stil tribal e të gërshetuara në formë zemre (ose trekëndëshi nga ana gjeometrike). Qëllimi është ai i dëshmisë së një zemre të egër që me sa duket Cupra e mbështet me modelet e saj të “egra” nga ana e fuqisë dhe performancës.
Vetë emri Cupra, vjen nga Cup Race (Kupë garash) dhe ekziston prej mbi 22 vitesh. Debuti i parë daton në vitin 1996, gjeneratën e dytë të Seat Ibiza-s. Modeli special sportiv Seat Ibiza GTI Cupra, bazohej në motorin 2.0 benzinë dhe zhvillonte 150 kuaj fuqi.

Më tej, Cupra ka shoqëruar me versionet e saj sportive të gjitha modelet Seat duke fituar zemrën e shumë të apasionuarve e duke na sjellë deri në vendimin e sotëm, që në Volkswagen shpresojnë t’i zgjasë jetën këtij segmenti të vogël në numër, por të madh nga rëndësia.