Dodge Ram 1500, mund ta bëni tuajin duke filluar nga ky çmim!

liridona 0

Dodge Ram është një model i famshëm pick-up, që ne në Shqipëri quajmë shpesh edhe kamionçinë, që ka një histori të gjatë e të lavdishme mbi krye. Antik sa nuk do ta besoni, modeli i parë Ram është prodhuar në vitin 1931. Prodhimi më tej ka vazhduar deri në vitin 1956 për t’u ndërprerë deri në vitin 1981, kur grupi Daimler Chrysler vendosi ta ripropozojë.Ram ka qenë një rast i veçantë suksesi, aq shumë sanë modelin e fundit, kompania amerikane vendosi ta prezantojë si një brand më vete, pa emrin e markës Dodge.
I gjatë 5.92m dhe me një design agresiv, të thuash pak, Ram është një makinë që tërheq vëmendjen e kujtdo në rrugë. Megjithëse në një stil burrëror gati gati prej “të forti”, Ram 1500 është një makinë ku designer-at amerikanë kanë punuar me kujdes. Në pamjen e jashtme elementi kryesor është maskerino dominante ku në mes është vendosur emri RAM dhe një “mustaqe” që e përshkon tej për tej horizontalisht.


Modeli i ri ndërtohet mbi një shasi të re ku përdorimi i çelikut me rezistencë të lartë ka mundësuar uljen e peshës deri në 105 kg.
Megjithëse makinat “pick-up” janë të ndërtura për të qenë rezistente, Ram sjell amortizatorë me ajër, për të rritur komoditetin në bord.
Nga brenda Ram ofron sedilje të mëdha si kolltuqe me komoditete si ngrohje, ftohje dhe gradime elektrike. Në qendër të kruskotit gjendet një monitor me prekje që ofron gjithë funksionet e infotainment dhe lidhet me celularin nëpërmjet Apple Car Play dhe Android Auto. Tre porta USB nuk janë hiç keq për të karikuar celularët apo për të ndërlidhur celularin me sistemin infotainment.

Në rrugë, shoferi i Ram-it ka nevojë për njëfarë kohe sa të mësohet me përmasat gjigande të makinës. Në raste manovrash, përpara duhet t’i besojë vetëm shqisave të tij, ndërsa mbrapa Ram ka menduar mirë të ofrojë një kamera që i thjeshton vërtet jetën shoferit.
Gjatë ecjes ama, kënaqësia është e konsiderueshme duke filluar nga veshët. Motori V8 me benzinë 5.700 kubikë ka një uturimë të veçantë dhe të vendosur me një identitet të veçantë. Fuqia është 396 kuaj, por mos prisni performancë prej makine sportive. Ram nuk ecën më shpejtse 170 km/h, por duke parë llojin e makinës, na duket mjaftueshëm.
Konsumi nuk është gjëja që do t’ju bëjë të lumtur. Dodge deklaron (vetëm) 12 litra/100km dhe ne urojmë vërtet që konsumi i një bishe të tillë të jetë vërtet kaq (pak).

Ram 1500 vjen në Europë nëpërmjet firmës importuese zvicerane KWA me çmime që fillojnë nga 64.000 euro.