Jaguar përgatit nje XJ edicion special për bateristin e Iron Maiden!

liridona 0

Nicko McBrain, bateristi i grupit me famë botërore Iron Maiden, ka qenë protagonist i një nisme shumë të veçantë ndërmarrë nga Jaguar. Bëhet fjalë për modelin e tij të preferuar, XJ, një model simbol i lluksit anglez.Nisma përputhet me 50 vjetorin e modelit XJ dhe ekzemplari i McBrain, versioni i vitit 1984 XJ6, është i ekspozuar edhe në Geneva Motor Show, i cili do të hapë nesër dyert për publikun deri në datën 18 mars.

Ka qenë një punë intensive dhe e imët ajo e restaurimit të këtij ekzemplari. Teknikët e Jaguarit kanë qenë të sfiduar për ta rinovuar modelin, edhe nga ana teknologjike, duke ruajtur të pacënuar identitetin e makinës, një nga pikat e forta të markës angleze. Në këtë nismë janë përfshirë personalisht Nicko McBrain, inxhinierët, teknikët dhe artizanët e Jaguar dhe vetë drejtori i studios së design-it, Wayne Burgess. Ndryshe nga çdo XJ tjetër i ‘84, rezultati është një model unik me rinovime ekskluzive në sistemin e amortizimit, të motorit, të estetikës së jashtme dhe të brendshme, së bashku me teknologji bashkëkohore të “fshehur” pas butonave në stil klasik.

Më konkretisht janë restauruar parakolpet para dhe mbrapa, lyerja e jashtme me bojë ekskluzive Mauve, parafangot që tani lejojnë goma të mëdha R18, amortizatorët, fenerë Led, guarnicione moderne të dyerve, panele izolues per një akustikë superiore në bord, touch screen apostafat nga Alpine për sistemin infotainment, ndezje me buton, hapje dhe mbyllje dyersh automatike me telekomandë, klimatizator me teknologji bashkëkohore dhe një sistem unik audio, i bazuar në teknologjinë e amplifikatorëve të kitarrave (duke parë shoferin) i cili arrin fuqinë 1.100 Wat.Motori, një 4.200 kubikë, 6 cilindra në linjë, sipas shkollës së vjetër, tani është i optimizuar me tre karburatorë, sipas kërkesës së Nico-s. Sediljet janë një punë dore e realizuar në lëkurën Pimento Red, me konture të zeza dhe tapeceri të zezë.

“Ky është XJ i im i tretë, por është ai i ëndërrave të mia”, – ka deklaruar vetë Nicko McBrain. Për ta besuar këtë, mjafton të shohim ikonën në qendër të timonit ku maskota e Iron Maiden, Eddie, i ka zënë vendin kokës së Jaguarit.Në këtë projekt janë shpenzuar në total 3.500 orë pune që kanë perfshirë mbi 4.000 pjesë të restauruara.

Kjo iniciativë e kompanisë angleze lëshon një mesazh të qartë në një epokë ndryshimesh për markën angleze dhe për botën e makinave në tërësi. Jo rastësisht është zgjedhur Nicko McBrain, bateristi i një grupi anglez. Në këtë 50 vjetor të modelit XJ, pak ditë pas prezantimit të I-Pace (100% elektrike), Jaguar dëshiron t’i kujtojë të gjithëve se e ardhmja e një marke të vërtetë është e rrënjosur në një histori të lavdishme (angleze).