Ka vetëm një rregull të thjeshtë për t’u ndjekur që mundëson mirëmbajtjen e makinës tuaj. Ja cili është!

liridona 0

Kambio automatike, kjo shpikje e madhe që prej 1954, është sot një ndër kërkesat më të mëdha të shqiptarëve, sidomos të atyre që jetojnë në qytete ku guida në trafik shpesh bëhet stresuese dhe e lodhshme.

Si pasojë e progresit teknologjik, sot ka në treg lloje të ndryshme kambiosh automatike, por në linja të përgjitshme mund të dallojmë këto lloje; kambio e robotizuar (praktikisht një kambio manuale nga por që funksionon në mënyrë automatike, kambio CVT ose me variator centrifugal (shumë i ngjashëm me kambion e scooter-ave), kambio automatike me dopio freksion DSG, etj. Përveç të parës, të gjitha llojet e tjera funksionojnë me konvertim raportesh sipas presionit të vajit të kambios me një mekanizëm të dedikuar shumë kompleks nga ana teknologjike.Por pa dashur të krijojmë konfuzion dhe pa dashur të ngarkohemi së tepërmi me informacione teknike, lajmi i mirë është që në lidhje me mirëmbajtjen ka vetëm një rregull të thjeshtë për t’u ndjekur, cilado qoftë marka e makinës suaj dhe lloji i kambios që ajo ka: duhet ndërruar vaji i kambios!

Ky veprim nuk është ndër më të thjeshtët dhe këshillojmë të jeni të sigurt që t’ia besoni këtë punë një specialisti pasi rreziku për të bërë dëme që kushtojnë është i lartë. Gjithashtu, për të ndërruar vajin nevojitet një pajisje e posaçme (një pompë) pasi shumica e makinave nuk janë të pajisura me tapë për zbrazjen e vajit të kambios.
Një tjetër këshillë është gjithashtu të mos kurseni as në llojin dhe cilësinë e vajit sepse nuk ia vlen barra qiranë.

Intervali i këtij shërbimi ndryshon pak nga modeli në model dhe duhet bërë mesatarisht çdo 50-60.000 km.

Kosto e këtij operacioni ndryshon shumë nga lloji i kambios (çdo kambio do një sasi vaji të caktuar) nga lloji i vajit të përdorur (vajra të ndryshëm kanë çmime të ndryshme). Çdo makinë ka në librezën e saj intervalet e ndërrimit, specifikat e vajit dhe sasitë e nevojshme.
Ky shërbim nuk është ndër më ekonomikët pasi sasia e nevojshme për kambion automatike është shpesh më e madhe se sasia e vajit të motorit. Shumica e automjeteve ka nevojë për mbi 6 litra vaj dhe çmimi i këtij vaji (special dhe performant) jo rrallë është mbi 3.000lekë/litër. Kësaj kostoje i duhet shtuar edhe haku i punës së mekanikut. Pra një shërbim rreth 25.000 lekë mund të jetë i nevojshëm për të ruajtur integritetin dhe jetëgjatësinë e kambios automatike të makinës suaj.

Nëse kjo ju duket kosto e lartë, nuk ju këshillojmë aspak kursimin alla shqiptarçe “mos ia ndërro se nuk ka problem”! Mund të pendoheni rëndë për këtë. Më mirë të konsideroni kambion tradicionale manuale duke ju kujtuar ndjesinë e vërtetë të guidës së një makine dhe mburrjen se “një mjeshtër i vërtetë nuk ka nevojë për automatizma”.