A do ketë ndryshime në tregun e sigurimeve me ardhjen e makinave autonome?

Mariglen 0

Sistemi i vetë-drejtimit është krijuar për lëvizje sa më të sigurt, sidomos për parandalimin e aksidenteve të mundshme. Kjo lë të mendohet, se pagesa për sigurimin e këtyre veturave do duhej të ishte shumë më e ulët.

Por, një raport nga Bloomberg, pretendon se përhapja e makinave autonome, nuk do të bëjë që kompanitë e sigurimeve të fitojnë më pak, sepse shoferëve ende do t’ju duhet mbështetje.

“Nuk presim që të ardhurat e kompanive të sigurimeve, të bien papritmas si pasojë e makinave autonome” ka thënë Alejandro Zamurano, që është njohës i mirë i tregut. “Për dallim të kësaj, presim ndryshim gradual në kërkesën për llojet e produkteve, që janë burime tjera të të ardhurave për kompanitë e sigurimit” ka shtuar ai. Një gjë që mund të ndryshojë, është se kush i paguan policat.

Për dallim prej individëve, pagesën mund ta kryejnë prodhuesit, apo edhe kompanitë që e ofrojnë sistemin e vetëdrejtimit. Në të ardhmen e afërt, mund të ketë edhe polica të specifikuara, vetëm për këto makina.

Gjithnjë sipas raportit, mund të ketë edhe “sigurime kibernetike” që do t’i kompensojnë makinat në rast se hakohen. Duke pasur parasysh se përditësimet dhe intervenimet në rregullimin e softuerëve behën në mënyrë kompjuterike, mund të thuhet se kjo lloj police do të jetë shumë e popullarizuar në të ardhmen.

Përderisa teorikisht makinat autonome i bëjnë vozitjet shumë më të sigurta, ekziston fakti se në rast aksidentesh riparimi do të jetë shumë më i shtrenjtë.

Dëmtimi i komponentëve si sensorët, kamerat dhe kompjuterët e ndryshëm, lë të kuptohet se sigurimi i këtyre veturave, vetëm sa do të shtrenjtohet.

Makinat tërësisht autonome, janë ende shumë larg. Deri atëherë, shoferët mund të shfrytëzojnë përparësitë e disa veturave vetëvozitëse, kur parkojnë apo ngecin në trafik.

Kjo do të mundësojë që kompanitë e sigurimeve, të sigurojnë si individët, ashtu edhe veturat. “Ky tranzicion është shumë i vështirë – vetëm pak kompani mund t’i bëjnë të dyja” ka thënë Tunguy Catlin, partner në McKinsey & Co. 

This post is also available in: English