Makinat Volvo mund të paralajmërojnë njëra-tjetrën për rreziqet në rrugë

liridona 0

Volvo po aplikon një teknologji që lejon disa nga automjetet e saj të komunikojnë me njëra-tjetrën në lidhje me kushte të rrezikshme të rrugës. Kjo teknologji po shpërndahet në të gjithë Evropën me qëllim rritjen e sigurisë, njoftoi prodhuesi i makinave.

Kompania prezantoi për herë të parë Hazard Light Alert (alarmin e rrezikut me anë të dritave) dhe Slippery Road Alert (alarmin e rrugëve të rrëshqitshme) në vitin 2016 në makinat Volvo Seritë 90. Por kjo ishte e limituar vetëm për shoferët në Suedi dhe Norvegji.

Javën e ardhshme prodhuesi i automjeteve do të bëjë sistemin të disponueshëm për drejtuesit e makinave në Europë.

Sistemi do të jetë standard në të gjitha modelet e vitit 2020. Por mund të instalohet edhe në modelet më të vjetra gjithashtu.

Teknologjia e komunikimit automjet-me-automjet përdor një rrjet cloud. Për shembull kur një automjet Volvo ndez dritat e rrezikut, të gjithë makinave Volvo që ndodhen afër dhe që janë të lidhura me shërbimin cloud i dërgohet një sinjal.

Kompania po i kushton një rëndësi të veçantë sigurisë në makinë. Kompania ka hapur një librari digjitale me të gjithë hulumtimet e bëra për sigurinë, që datojnë që nga viti 1970.

Më herët Volvo ka lajmëruar që do të limitojnë shpejtësinë në të gjithë automjetet e saj, duke filluar me modelet e vitit 2020, me rreth 180 km/h. Ajo gjithashtu po planifikon të integrojë sistemin e monitorimit të drejtuesit të mjetit, për të identifikuar shenja lodhjeje ose dehjeje, me anë të kamerave dhe sensorëve.