Me dhuratën e re, koleksioni i veturave të Ronaldos arrin vlerën e dhjetë milionë eurove

ardita 0

Modelja Georgina Rodriguez sigurisht që di ta fitojë vazhdimisht zemrën e superyllit të futbollit Cristiano Ronaldo. Për ditëlindjen e 35-të, ajo i dhuroi të dashurit të saj një superveturë Mercedes G Wagon Brabus që kushton rreth 700 mijë euro.

SUV-i brilant do të zë vend në një garazh me plot automobila të shtrenjtë, pasi që portugezi njihet si adhurues i superautomobilave si Ferari, Lamborghini e Bugatti.

Me veturën e re, vlera e koleksionit të veturave të sulmuesit të Juventusit ka arritur dhjetë milionë euroshin.

Bugatti Chiron – 2.5 milionë euro

Ronaldo shpenzoi shumë para për Chironin të cilin e bleu më 2017. Kjo veturë arrin shpejtësinë nga 0 në 100 kilometra për vetëm 2.5 sekonda.

Bugatti Veyron – 2 milionë euro

Vetëm 450 Veyronë 16.4 Grand Sports ishin krijuar dhe natyrisht Ronaldo donte një. Kjo i kushtoi rreth 2 milionë euro. Portugezi e bleu veturën pasi fitoi në Kampionatin Evropian 2016.

Lamborghini Aventador – 300 mijë euro

Nuk është vetëm Bugatti kompania në të cilën Ronaldo është i dashuruar. Ai në të njëjtin vit kishte blerë edhe një Lamborghini Aventador. I krijuar më 2011, ky automobil është i preferuari nga shumë yje të futbollit.

Rolls Royce Cullinan – 400 mijë euro

Vitin e shkuar, Ronaldo shtoi një Cullinan në koleksionin e tij, pasi më parë posedonte një Rolls Royce Phantom në vlerë prej 430 mijë eurosh. CR7 e ka personalizuar interierin e automobilit me lëkurë bardhë e zi.

Ferrari F12 TDF – 415 mijë euro

Më 2017, Ronaldo i bleu vetes një F12 TDF – një nga 799 ekzemplarët e krijuar. Ai mbetet një nga të preferuarit e Ronaldos. Automobili arrin shpejtësinë prej 340 kilometrash për orë, ndërsa shpejtësinë nga 0 në 100 km e arrin për 2.9 sekonda.

Range Rover Sport – 120 mijë euro

Range Rover Sport konsiderohet vetura e duhur për njerëz të pasur e me famë. Modeli të cilin e posedon Ronaldo, është po ashtu special, SVR.

Mercedes AMG GLE 63 – 150 mijë euro

Më 2016, Ronaldo e dërgoi në garazh edhe një superveturë. AMG GLE 63 ishte dhuratë që i bëri vetes për Krishtlindje. SUV-i ka 612 kuajfuqi.

McLaren Senna – 1.2 milionë euro

Një veturë dedikuar garuesit legjendar brazilian Ayrton Senna i kushtoi Ronaldos më shumë se një milion euro. Vetëm 500 njësi të tilla u krijuan. Ai ka motor V8 me 800 kuajfuqi e shpejtësinë prej 0 në 100 km e arrin për 2.8 sekonda.