Mercedes ka prezantuar prodhimin e një modeli “hyper”, një model ekstrem! Ja cili është!

liridona 0

Mercedes kohë më parë ka prezantuar prodhimin e një modeli “hyper” që me fjalë të thjeshta mund të quhet një model ekstrem.
Ky model merr frymëzim nga Formula 1, nga ku mendohet edhe që bazohet përzgjedhja e emrit. Emri mund të jetë i thjeshtë, por proçesi i blerjes është shumë i veçantë: një kamion i madh, i pajisur me ekrane virtuale dhe një riprodhim të vendit të shoferit, shkon në shtëpinë e klientit për të mundësuar përzgjedhjen e ngjyrës dhe të çdo detaji të personalizueshëm. Jo keq apo jo?Si çdo model ekskluziv dhe ekstrem, prodhimi nuk do të jetë masiv, por i kufizuar në gjithësej 275 njësi.

Kjo makinë mund të quhet edhe ekologjike, pasi mund të përshkojë edhe distanca të shkurtra vetëm me motorin elektrik, por të jemi seriozë, një Hypercar lind për të djegur gomat në pistë dhe për të thyer rekorde, nëse ia del …
Nëse emri është i thjeshtë, njësia motorike është mjaft e komplikuar. Motori me benzinë është turbo dhe megjithëse vetëm 1.600kubikë, zhvillon 680 kuaj fuqi! Mos u habisni, ky motor shkon deri në 11.000 xhiro në minutë dhe është shumë i ngjashëm me atë që kishte njëvendëshja e Lewis Hamilton në vitin 2015, kur doli kampion bote.

Për të garantuar kohë të shpejtë reagimi, turbina është elektrike. Elektrikë janë edhe katër motorë të tjerë, dy prej të cilëve janë vendosur në aksin e parë, nga një për secilën rrotë, me 163 kf secili. Një motor i tretë me 163 kf është i lidhur me boshtin e motorit dhe akumulon energjinë e çliruar në frenim ndërsa i katërti, me 122 kf shërben për të mbajtur turbinën në regjim konstant.
Për të mos humbur në këtë mori shifrash, po e thjeshtojmë pak situatën: fuqia totale është 1.006 kuaj fuqi dhe sprinti i premtuar 0-200km/h është më pak se 6 sekonda. Ju duhet çmimi? Ende nuk është publikuar, por vështirë se do të jetë kompetitiv dhe ndoshta as i arsyeshëm. Kjo do të jetë një objekt tjetër krenarie për pronarët e këtij modeli ekskluziv nga prodhuesi “me yll”.