Prezantohet versioni i ri i veturës së vogël elektrike për qytet

ardita 0

Kompania zvicerane Micro Mobility Systems në vitin 2018 pati prezantuar versionin e para-prodhimit të veturës së saj të vogël për qytet, Microlino, ndërsa tani sjell versionin e avancuar – 2.0, të kësaj veture.

Me gjatësi prej 2.4 metra, Microlino 2.0 sa i përket dizajnit është frymëzuar nga modeli legjendar i BMW-së, Isetta, si dhe vjen me derën e veçantë të përparme.

Për dallim nga versioni i 2018-s, Microlino 2.0 vjen me pamje të ridizajnuar, para se gjithash pjesën e pasme, goma më të gjera, pamje më të mirë dhe enterierin e modifikuar, duke përfshirë timonin e ri, instrument-tabelën digjitale si dhe ndriçimin LED. Po ashtu, versioni i ri i Microlinos është më i lartë, kështu duke ofruar më shumë hapësirë për kokën e pasagjerëve.

Microlino 2.0 do të jetë në dispozicion me baterinë litium-jon prej 8 ose 14.4 kWh. Sa i përket çmimit, Microlino 2.0 kushton 12,000 euro për versionin bazë dhe prodhimi i tij pritet të fillojë vitin e ardhshëm. Po ashtu, prodhuesi Micro Mobility Systems thotë se tashmë ka pranuar rreth 17,000 rezervime për këtë veturë të vogël elektrike për qytet.

Gjithashtu, kjo kompani ka prezantuar edhe konceptin Microletta, motoçikleta e vogël me tri rrota e cila shpejtësinë maksimale e arrin deri në 80 km/h dhe se çmimi i saj do të jetë rreth 4,900 euro.