Renditja e vendeve që prodhojnë më shumë makina në Botë, Kina dominon

armir 0

Sot prodhohen më shumë makina, sesa në çdo kohë tjetër në histori. Vetëm në vitin 2018, u prodhuan 95 milionë automjete në të gjithë botën, përfshirë 70 milionë makina për përdorim personal, dhe 25 milionë automjete për qëllime tregtare. Ja cilat janë 6 vendet e para në botë, për sa i përket numrit të makinave të prodhuara:

  1. Kina

Prodhuesja kryesore në botë e makinave është Kina. Në vitin 2018, ajo prodhoi 25 milionë automjete, ose rreth 28 për qind të të gjitha makinave dhe kamionëve të prodhuar në botë. Gati 86 për qind e automjeteve kineze janë makina personale, ndërsa 3.4 milionë automjete të tjera janë për përdorim tregtar.

 

Në periudhën prill-korrik 2018, Kina prodhoi 1.774 milionë makina dhe 286.000 automjete tregtare. Me shitjen e 5.86 milionë makinave në vitin 2018, kompania “SAIC Motor Corporation Ltd”, është prodhuesja më e madh e automjeteve në Kinë.

  1. Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Shtetet e Bashkuara, prodhuan në vitin 2018 vetëm 12 milionë makina dhe kamionë, duke u renditur si prodhuesja e dytë më e madhe e makinave në botë, me pak më shumë se 13 për qind të gjithë tregut botëror. Edhe pse prodhimi i makinave personale, ishte më i vogël se Japonia dhe Gjermania, SHBA-ja prodhoi thuajse 2 herë më shumë automjete komerciale se çdo vend tjetër.

Kompania “General Motors Company”, prodhoi shumicën e automobilave të prodhuar në Shtetet e Bashkuara, pasi zë 17.5 për qind të tregut të automjeteve në vend. Kompanitë “Ford Motor” dhe “Toyota Motor Corp”, zënë të dyja nga 14.5 për qind të tregut të prodhimit të automobilave në Shtetet e Bashkuara.

  1. Japonia

Japonia prodhoi gjithsej në vitin 2018 pothuajse 9.5 milionë automjete, ose 10 për qind të totalit në botë. Japonia ka sasinë e dytë më të lartë të eksporteve të makinave në botë. Eksportet e makinave në vitin 2018 – 86.1 miliardë dollarë – përfaqësonin 12.8 për qind të të gjitha eksporteve të makinave në të gjithë botën.

Kompania “Toyota Corp” prodhon afro 29 për qind të automjeteve në Japoni, ndërsa “Honda Motor Co Ltd” renditet e dyta me rreth 14.4 për qind të tregut japonez të automjeteve, e ndjekur nga “Nissan Motors”.

  1. Gjermania

Gjermania prodhoi gati 6 milionë automjete në total gjatë vitit 2018. Kjo shifër, përfaqësonte një rritje prej 2.1 për qind nga niveli i prodhimit të vitit 2017. Gati një të katërta e të gjitha makinave të prodhuara në Gjermani eksportohen, ndërsa 22.7 për qind e eksporteve në të gjithë botën në vitin 2018 i takonte Gjermanisë.

Kompania “Volkswagen AG” është prodhuesi kryesor në vend, duke prodhuar pak më shumë se 700.000 makina midis shumë markave të tij përfshirë markën e famshme Porsche. Mercedes-Benz është prodhuesi i dytë më i madh në Gjermani, dhe përfaqëson afërsisht 9 për qind të pjesës së tregut në vend. BMW renditet e treta, dhe zotëron gjithashtu markat Mini Kuper dhe Rolls Rojs.

  1. India

Ndërsa nuk është shumë e njohur në Amerikë apo Evropë, India prodhon automjete për popullsinë e saj prej 1.3 miliardë ca banorësh. India prodhoi pak më shumë se 4.6 milionë automjete në vitin 2018, kur 82 për qind e tyre janë vetura personale.

India përjetoi shkallën më të lartë të rritjes midis prodhuesve më të mëdhenj të makinave. Në vitin 2018, prodhimi i makinave u rrit me 7.3 për qind në krahasim me vitin 2017. Kompania më e madhe prodhuese është “Tata Motors Limited”. Rreth 650.000 makina të prodhuara në Indi, u eksportuan në vitin 2018.

  1. Koreja e Jugut

Në vitin 2018, Koreja e Jugut prodhoi rreth 4.5 milionë automjete. Nga këto, 4.1 milionë ishin vetura personale, dhe pak shumë se 400.000 automjete ishin për përdorim tregtar. Ky vend, përjetoi një rritje shumë të vogël në këtë industri, me vetëm 0.7 për qind më shumë krahasuar me vitin 2017.

Prodhuesi më i njohur i makinave në Korenë e Jugut është “Hyundai Motor Co”. Ndërkohë, Koreja e Jugut është një nga eksportueset më të mëdha të automobilave që prodhon. 6.2 për qind e makinave të prodhuara në Korenë e Jugut eksportohen.