Shqipëria ka makinat më të vjetra në rajon me moshë 20 vjeçare, sa dyfishi i Europës

ardita 0

Zyrtarisht sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për 4 mujorin e vitit 2018, për çdo makinë të re të importuar janë futur 16 të tjera të përdorura. 

Raportet mes importit të autoveturave të reja dhe atyre të përdorura është me diferencë të madhe. Nga rreth 10 vjet që është mosha mesatare e makinave në Bashkimin Europian, në vendin tonë kjo moshë është gati 20 vjeçare. Mbi 80 përqind e automjeteve janë prodhime para vitit 2007. Mosha e lartë e mjeteve motorike që qarkullojnë në Shqipëri ka si problem kryesor ndotjen e mjedisit nga emëtimi i gazrave.

Në vitin 2016, 27% e mjeteve me benzinë ngelën në testin e kolaudimit për tejkalim të normave të emëtimit të gazrave. Aktualisht në vendin tonë nuk ka ndonjë pengesë për importin e mjeteve të vjetra, mjaftojnë që ato të mos kalojnë disa parametra për ndotjen.

Por, sa më i vjetër të jete mjeti aq më e lartë është norma e lejuar e ndotjes. Sipas koncesionare të kolaudimit SGS, këto janë shifrat me nivelet zyrtare të miratuara nga qeveria. Duke marrë si shembull mjetet me benzinë, mbetjet e gazrave të lejuara janë 4,5 % të volumit për makinat prodhim i viteve para 1986, dhe 3,5% për mjete prodhim nga viti 86 deri në 93, e kështu me radhë për të arritur deri ne ditët e sotme me 0,2% të volimit për autoveturat të prodhuara pas viti 2002. Pra shihet qartë se normat tolerojnë më shumë mjetet e vjetra.

Aktualisht shtete si Zvicra, Gjermania apo vendet nordike që kanë një ndjeshmëri të larte ndaj çështjeve mjedisore kanë programuar që në pak vite të nxjerrin nga qarkullimi mjetet me naftë dhe të favorizojnë motorët hibridë dhe elektrikë.

Por në çfarë drejtimi po ecën Shqipëria, e cila brenda pak kohesh mund të përballet me një fluks të madh mjetesh që do dalin nga qarkullimi nga këto shtete, sidomos Gjermania, për shkak të ndotjes. Deri tani nuk ka asnjë kufizim për futjen e mjeteve të vjetra, apo lehtësira nga ana tjetër që qytetarët të drejtohen drejt mjeteve të reja.