VW më 2020 lanson 34 modele të reja

ardita 0

Teksa 2019-a po mbyllet, Volkswageni është bërë gati për të “pushtuar” tregun e automobilave më 2020, me kompaninë që planifikon të lansojë 34 modele të reja.

Kjo është bërë e ditur bazuar në një njoftim të fundit të kompanisë për strategjinë transformuese. Njoftimi tregon se prodhuesi do të investojë 19 miliardë euro në teknologjitë e së ardhmes, deri më 2024. Nga kjo shifër, 11 miliardë euro do të drejtohen tek zhvillimi i mobilitetit elektrik.

Nga 34 modelet e reja, 12 do të jenë SUV-a e tetë modele tërësisht elektrike ose hibride.

Investimi dhe modelet e reja po shihen si sinjalet e fundit nga autoprodhuesi se do të vazhdojë punën për të arritur cakun për reduktim të emetimit të dyoksidit të karbonit, raporton Motor1.

Pjesë e kompanisë janë modelet eletrike ID, që tashmë kanë hyrë në fazën e prodhimit. I pari do të jetë ID.3, që ofron ngasje deri në 550 kilometra me një mbushje të plotë të baterisë. Plani afatgjatë i VW-së është që të lansojë 75 modele të reja elektrike e 60 hibride deri në fund të dekadës së re.

Volkswagen planifikon të shesë 26 milionë automobila elektrikë deri më 2029, dhe gjashtë milionë njësi hibride.