Xhiro e parë me Range Rover Velar

liridona 0

Ndodh shpesh të ndryshosh mendje kur makinat i sheh nga afër, por nuk ndodhi kësaj rradhe. Velar përforcon ndjesitë e mira që ngjall modeli në foto. Me këtë model, Land Rover ka arritur të propozojë një SUV me linja Coupé-je, por këtë nuk e bën duke “prerë” bishtin, në stilin e GLC ose GLE apo paraardhësja dhe frymëzuesja e kësaj linje X6 e shoqëruar më pas nga X4. Thjesht Velar është një Suv që krijon emocionin e një makine Coupè, pa kompromise dhe merita për këtë është sekret i repartit kreativ. Velar ka ambicje sportive që shprehen me linja të kuruara dhe një design dinamik, të shkrira në 4.80 metra gjatësi.

Ekzemplari i xhiros së provës sonë ishte një Range Rover Velar D240 R-Dynamic SE. “I veshur” në Kaikoura Stone bën figurën e tij mbi disqet e zeza gjigande 21”, të cilëve do të kemi rast t’i kthehemi sërish më vonë.

Dorezat e dyerve që lëvizin për të mundësuar hapjen e derës bëjnë goxha efekt në kontaktin e drejtpërdrejtë.

Nga brenda Velar është një mix perfekt midis luksit dhe design-it. Cilësia e materialeve në prekje është sipërore. Materialet janë të buta, të punuara me kujdes prej manjaku në detaje dhe në asemblim. Kontrasti i ngjyrave të brendshme e bëjnë ambjentin e brendshëm një dekor kontemporan me elemente unike design-i dhe teknologjie.

Ok, vendosim ta ndezim … shtypim “Start” dhe xhirot e motorit ne kuadër tregojnë se Velar u aktivizua edhe pse motori në kabinë nuk dëgjohet fare. Në vend të levës së kambios gjejmë në “joystick” të cilin e çojmë në D. Me t’i dhënë gaz, turiri i madh fillon të orientohet sipas trajektores që kemi vedosur me timon dhe ne fillojmë të përshkojmë metrat e parë. Velar duket menjëherë sikur kontraston peshën dhe përmasat me një hap prej atleti.

Motori 2.0 turbodiesel, i cili zhvillon 240 kuaj fuqi, është menjëherë i gatshëm dhe të fton të sfidosh idenë se jemi duke ngarë një makinë që i afrohet 5 metrave, për më tepër 4×4. Jemi nisur në fillim me një hap të ngadaltë, si për t’u miqësuar gradualisht, por sapo motori shkon në temperaturën e regjimit 90° këmba e djathtë fillon të kërkojë më shumë. Velar si me një shpalosje krahësh lë pas kthesës të gjithë peshën e tij dhe tregon aftësitë e saj reaktive. Emërtimi Dynamic i shkon vërtet për shtat dhe guida fillon të bëhet menjëherë “gazmore”. 240 kuaj fuqi nuk mund të garantojnë performancë piste prej një Coupé-je me shasi alumini, por Velar është vërtet një kënaqësi në guidë. Meritë në këtë kanë edhe gomat e mëdha në disqe 21”, të cilat ofrojnë mbështetjen e duhur në rrugë duke rritur sigurinë dhe qëndrueshmërinë. Nga 0 – 100 km/h arrihen në 7.3 sekonda dhe ky është një rezultat i shkëlqyer: kjo makinë është e gjallë. Një nga vetitë kryesore që bie në sy menjëherë është komoditeti dhe izolimi perfekt nga ambjenti i jashtëm. Kësaj mund t’i shtojmë hapësirën e bollshme për të gjithë pasagjerët dhe bagazhet dhe të gjitha bashkë e bëjnë këtë makinë një ndër zgjedhjet ideale për të udhëtuar drejt destinacioneve sado të largëta qofshin. Nëse i shtojmë edhe ADN e një Land Rover-i të vërtetë, me cilësi të përshtatshme edhe për ekskursione jashtë asfaltit, Velar duket se bëhet shoku më i mirë për çfarëdo aventure.